Zyberi: Paragjykimi se një shqiptar prioritet do t’i ketë të drejtat e shqiptarëve është tezë e çorientuar

Kandidati për kryeministër i BDI-së, Naser Zyberi vlerëson se paragjykimi se një shqiptar si prioritet do t’i ketë të drejtat e shqiptarëve është tezë e çorientuar, sepse, siç tha, shumë nga ato çështje janë absorbuar.

Unë jam dëshmitar se shumë nga çështjet të cilat ne atëherë i ngritnim tashmë janë absorbuar. Dhe prej këtu paragjykimi se një shqiptar mund si prioritet në zbatimin e politikës t’i ketë të drejtat e shqiptarëve është tezë e çorientuar, sepse shumë, të mos them 99 për qind të atyre çështjeve, janë absorbuar. Neve na duhet, po, shqiptar, por jo shqiptar i cili do të kujdeset vetëm për shqiptarët, por, para së gjithash, për vendin, para së gjithash, për shtetin sepse nëse teza është e kundërt, me të drejtë qytetari maqedonas, domethënë nga etnikumi maqedonas mund të ketë jo vetëm rezervë, por edhe zmbrapsje për një ide të tillë”, tha në intervistën për TV Sllobodna, Zyberi.

Ai theksoi se ideja është që të dëshmojmë edhe para botës edhe në vend, se jemi të aftë pa marrë parasysh përkatësinë, me sukses pa konflikte ta udhëheqim vendin, t’i tejkalojmë këto polarizime dhe të bashkohemi në një.

“Jo ta humbim identitetin si subjekte politike, por nëse dëshironi edhe si etnitet, por të bashkohemi në interesin shtetëror i cili duhet të jetë mbi të gjithë të tjerët të cilët i përmendnim deri më sot. Nëse ky është udhëzuesi në ndërtimin e politikës, mendoj se është drejtimi i duhur. Mendoj se edhe shqiptarët duhet ta pranojnë, siç duhet ta pranojë dhe secili qytetar dhe secili maqedonas dhe secili serb, turq, vlleh, rom, boshnjak, etj”, theksoi Zyberi.

Ai theksoi se të gjithë duhet të jemi të shqetësuar se në çfarë vendi jetojmë, e jemi të sigurt, stabil, të sigurt, a funksionon sistemi, shteti ligjor, prosperiteti, sepse nëpër ato parime do ta realizojmë edhe interesin individual por edhe atë kolektiv, në të kundërtën do t’i vendosim edhe interesat individuale dhe kolektive në pikëpyetje. “Për këtë para së gjithash nevojitet shoqëri demokratike, me institucione demokratike, e përcaktuar që të ndërtojë institucione evropiane dhe shoqëri në të cilën secili do të ndjehet komod dhe i parrezikuar”, tha Zyberi në intervistë për TV Sllobodna.

%d bloggers like this: