Si do të duket Haxhi sivjet dhe a ka ndodhur kjo më parë?

Arabia Saudite thotë se do të lejojë që rreth 1.000 pelegrinë që banojnë në mbretëri të kryejnë Haxhin këtë vit, një ditë pasi ajo njoftoi se pelegrinazhi vjetor do të “zvogëlohej” për shkak të coronavirusit.

Rreth 2,5 milionë pelegrinë nga e gjithë bota grumbullohen çdo vit në qytetet e Mekës dhe Medinës për ritualin një javor të planifikuar të fillojë në fund të korrikut. Por këtë vit, asnjë vizitorë nga jashtë shtetit nuk do të lejohet.

Siç kujton Al Jazeera, Arabia Saudite njoftoi të hënën se do të mbajë një Haxh “shumë të kufizuar” këtë vit, pasi vendi ende po lufton me coronavirusin.

Ministria Saudite e Haxhit tha se vendimi për të zvogëluar aq shumë numrin ishte me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik global për shkak të rreziqeve që lidhen me tubime të mëdha.

Dhe ngjarja e këtij viti pritet të fillojë më 28 korrik.

Kush do ta kryejë Haxhin?

Si një nga pesë shtyllat kryesore në Islam, Haxhi është një kërkesë për të gjithë myslimanët të aftë fizikisht dhe financiarisht që të kryejnë të paktën një herë në jetën e tyre.

Këtë vit, ministria e Haxhit të mbretërisë tha se rituali do të jetë i hapur vetëm për individë të kombësive të ndryshme që banojnë në Arabinë Saudite.

Në një konferencë virtuale për mediat të martën, ministri i Haxhit, Mohammad Benten, tha se qeveria është ende në proces të rishikimit të numrit të pelegrinëve të përgjithshëm të lejuar, duke thënë se ata mund të jenë “rreth 1.000, mbase më pak, ndoshta pak më shumë”.

“Numri nuk do të jetë dhjetëra ose qindra mijëra”, shtoi ai.

E ministri i Shëndetësisë, Tawfiq al-Rabiah, tha që pelegrinët do të testoheshin për coronavirus para mbërritjes në qytetin e shenjtë të Mekës dhe do të kërkohet të karantinohen në shtëpi pas ritualit.

Ai tha se askush mbi moshën 65 vjeç ose me sëmundje kronike nuk do të lejohej të kryejë haxhin.

A ka ndodhur kjo më parë?

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, kjo është hera e parë në historinë gati 90-vjeçare të Arabisë Saudite që vizitorëve të huaj u është ndaluar kryerja e Haxhit.

Haxhi është anuluar për shkak të luftërave dhe epidemive të kaluara përgjatë historisë, por jo që nga themelimi i Mbretërisë së Arabisë Saudite në vitin 1932.

Cili ka qenë reagimi?

Përgjigja ka qenë një përzierje zhgënjimi, lehtësimi dhe pranimi.

Para njoftimit saudit, Indonezia, Malajzia, Senegali dhe Singapori veçse kishin ndaluar qytetarët e tyre të kryejnë Haxhin këtë vit për shkak të shqetësimeve të coronavirusit.

“Shpresat e mia për të shkuar në (qytetin e shenjtë saudit të Mekës) ishin aq të larta”, tha Kamariah Yahya, 68 vjeç, nga Indonezia, për agjencinë e lajmeve AFP.

“Unë jam duke përgatitur me vite. Por çfarë mund të bëj? Ky është vullneti i Allahut – është fati”.

Ndërkohë Shahadat Hossain Taslim, kreu i një grupi që përfaqëson agjencitë e udhëtimit në Haxh nga Bangladeshi, tha se “shumë njerëz do të shkatërrohen” me vendimin, por ishte për të mirë.

“Për dallim nga vendet e tjera, shumica e pelegrinëve të Bangladeshit janë njerëz të moshuar, dhe ata janë të prekshëm ndaj COVID-19”, tha ai.

Pakistani, i cili zakonisht dërgon afro 180,000 pelegrinë, tha se diplomatët e tij në Arabinë Saudite do të përfaqësonin vendin gjatë pelegrinazhit këtë vit.

Ndërkohë në Indinë fqinje, ministri për çështjet e pakicave tha që më shumë se 200,000 njerëz kishin bërë kërkesë për të shkuar në Haxh në vitin 2020, dhe se ata do të merrnin një rimbursim të plotë të parave të depozituara për Haxhin.

E Mohamad Azmi Abdul Hamid, nga Këshilli Konsultativ i Organizatës Islamike Malajzia, tha që kombet myslimane duhej të ishin lejuar të merrnin një “vendim kolektiv”, e jo ai t’i lihej Riadit.

Close Bitnami banner
Bitnami