Rusia: Teste të suksesshme të vaksinës anti-koronare te vullnetarët, për shitje e jo falas

Rusia po përgatitet të dërgojë vaksinën e virusit koronar në tregun global, pasi ekspertët e shëndetit ushtarak raportuan se testet e kryera mbi ushtarët vullnetarë ishin të suksesshme, raporton dpa.

“Asnjë ndërlikim ose efekte anësore nuk u vunë re,” raportoi gazeta e ushtrisë ruse Krasnaya Zvezda.

Rusia planifikon të përfundojë provat klinike deri në fund të muajit të ardhshëm.

Gjatë fundjavës, ministri i Shëndetësisë Mikhail Murashko njoftoi se Rusia po përgatitej të shesë vaksinën e re dhe pajisjet e tjera mjekësore në nivel global.

Gara e vaksinave

“Rusia është e gatshme të furnizojë tregun global me ilaçe që do të veprojnë direkt mbi virusin, duke përfshirë dhe ilaçet për terapinë ‘stuhi të citokinës’, testet e viruseve dhe vaksinat,” i tha Murashko agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.

Në muajt e fundit, rusët kanë marrë pjesë në garën për të zhvilluar një vaksinë sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të trajtuar koronavirusin sa më efektivisht të jetë e mundur, pasi numri i rasteve në vend është rritur në atë masë që Rusia është e treta në botë, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit.

Deri më tani, më shumë se 640,000 raste të infeksionit koronavirus janë raportuar në vend, dhe më shumë se 9,000 vdekje janë të lidhura drejtpërdrejt me pasojat e COVID-19.

Deri kohët e fundit, karantina ishte në fuqi në shumicën e rajoneve ruse, por kufizimet, të cilat shkatërruan ekonominë, u hoqën pas shenjave të para të një uljeje të numrit të të infektuarve.

%d bloggers like this: