Paralajmëron takime me liderët politikë, Thaçi thotë se jep dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza

Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë kumtin të hënën në darkë se do ta braktisë pozitën e kreut të shtetit në rast se konfirmohet aktakuza që e bën përgjegjës për krime lufte, e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë. False i ka kualifikuar pretendimet për të tilla krime.

“Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë”, ka thënë Thaçi nëpërmjet një adresimi qytetarëve nga zyra kryesore në Presidencë. “Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si president i juaji dhe do të përballem me akuzat”.

Dorëheqja e mundshme do të nënkuptonte që Thaçi të mos e çonte në fund asnjë nga funksionet me rëndësi që ka marrë prej pasluftës. Si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme ai mundi të qëndrojë vetëm disa muaj, meqë menjëherë pas luftës ajo ishte zhbërë ngase vendi qeverisej nga një mekanizëm i përkohshëm administrativ i misionit të Kombeve të Bashkuara që ishte vendosur në Kosovë, UNMIK. Pasi partia e tij i fitoi zgjedhjet në fund të 2007-s, ai u bë kryeministër, por është rrëzuar me mocion në Kuvend. Edhe Qeveria pasuese do ta vinte në pozitën e kryeministrit, por edhe ajo është rrëzuar me mocion. Ndërkaq, përpara se të bëhej presidenti, ka shërbyer për disa kohë si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, pozita që i la në gjysmë për t’u bërë shef shteti, raporton KOHA.

E si president ai mori lajmin për aktakuzën pesë ditë më parë, përderisa ishte rrugës për në Uashington, ku ishte planifikuar një takim Kosovë-Serbi në nivel presidentësh e kryeministrash, që ishte ftuar nga Richard Grenell, i caktuar i presidentit Donald Trump për ta ndërmjetësuar procesin e negociatave mes dy vendeve.

Ndonëse aktakuza e Prokurorit të Specializuar ende nuk është konfirmuar në Dhomat e Specializuara, organi i akuzës ka treguar nëpërmjet një njoftimi se Thaçi, por edhe Kadri Veseli që e drejton Partinë Demokratike të Kosovës, dyshohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

%d bloggers like this: