Ministri thotë s’janë lejuar dasmat – zv.kryeministri dhe shoqatat thonë po

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, tha se lajmi për lejimin e dasmave është dezinformatë. Ai tha se janë duke punuar në këtë gjë, por s’ka ende ndonjë vendim.

“Nuk janë lejuar dasmat, kjo është dezinformatë. Jemi duke punuar në këtë drejti, por nuk ka vendim. Sot në mbledhjen e Qeverisë nuk është marrë vendim për këtë çështje”, tha ai për klankosova.

Por zëvendëskryeministri Besnik Tahiri për Gazetën Express e ka konfirmuar se është lejuar mbajtja e dasmave.

“Mund t’ua konfirmoj se nga data 1 korrik është marrë vendim të hapen të gjitha restorantet për organizimin e dasmave”, ka thënë Tahiri.

E shefi i ekzekutivit, Avdullah Hoti tha se këto vendime janë në kuadër të hapjes së ekonomisë, por në vazhdimësi duhet marrë parasysh edhe shëndeti i njerëzve.

Marrja e gjithë këtyre vendimeve, ministri i Shëndetësisë, Armen Zemaj, tha se është bërë me rekomandimin e ekspertëve shëndetësor.

Por theksoi se nëse ka situatë të re epidemiologjike, do të kthehen masat rigoroze.

“Nëse rastet nuk mund të mbikëqyren gjatë javës në vazhdim dhe ka situatë të re epidemiologjike në Kosovë, rekomandimi është kthimi i masave rigoroze”, tha ai.

Qeveria e Kosovës gjithashtu ka marrë vendim për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Fluturimet për dhe nga Prishtina ishin ndaluar në mes të muajit mars kur kishte shpërthyer coronavirusi.

Ministri Zemaj, ka thënë se propozimi është bërë pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Ai ka shtuar se nëse rastet nuk mund të mbikëqyren gjatë javës në vazhdim dhe ka situatë të re epidemiologjike në Kosovë, rekomandimi është kthimi i masave rigoroze.

%d bloggers like this: