Kalaja e Vushtrrisë sikurse ajo e “Rozafatit” – një sezon ngrihet, një sezon rrëzohet!

Nëse “Kalaja e Rozafatit” është një mit shekullor dhe ndoshta i pabesueshëm, mjafton të shikoni shembullin e “Kalasë së Vushtrrisë” dhe të bindeni se një legjendë e tillë vërtetë mund të ketë ekzistuar.

Në qytetin e Dallkut, Kollarit, Rashicës e Jonuzit ndodhet një “Kala” e cila ndërohet ditën dhe shembet natën, njësoj sikurse ajo e “Rozafatit”

Klubi Futbollistik “Vushtrria” edhe zyrtarisht është pjesë e skuadrave që do të largohen nga kampionati elitar, për të bërë kështu gara në Ligën e Parë nga edicioni 2020/21.

Pas 27 ndeshjeve të zhvilluara këtë edicion, ish-kampionët e vendit renditen në pozitën e 11-të me 16 pikë të grumbulluara.

Rikthimi në Superligë ishte pritur me padurim pas tri vitesh qëndrimi në Ligën e Parë, ndoshta të ndikuar edhe nga entizuasmi i ardhjes së drejtuesve të ri në klub, me në krye presidentin Bajrush Kajtazi, pritshmëritë e tifozëve ishin të mëdha.

Ndryshime u bënë edhe në shtabin teknik. Ai i cili i kishte inkuadruar në Superligë, trajneri shkodran Samuel Nikaj, u zëvendësua me teknikun vushtrrias Bekim Shotani.

Edhe ndryshimet në skuadër ishin të shumta, teksa erdhën futbollistë të shumtë, por ata të cilët u afruan me shumë bujë ishin futbollistët e huaj nga Brazili, teksa biletën e kishin rezervuar kthyese, pasi që qëndrimi tyre në Kosovë nuk është se zgjati shumë.

‘Muaji i mjaltit’ kaloi shpjejtë për vushtrriasit, të cilët u rikthyen në realitet. Largimi i Bekim Shotanit mes akuzave dhe kundërakuzave vetëm se i konfirmoi krisjet e para te ish-kampionët e vendit.

Në krye të shtabit teknik erdhi italiani Antonio Toma, i cili tha se refuzoi ofertën e Antonio Contes për të qenë pjesë e stafit teknik te Interit, vetëm e vetëm për të marrë drejtimin e Vushtrrisë.

Por, shpejtë iku edhe Thoma, i cili sikurse trajneri boshnjak Amir Alagic që drejtoi Dritën disa edicione më parë, tha se në Kosovë lojtarët janë amatorë.

Barrën e ekipit e mori Fitim Llapashtica, ish-futbollisti i kësaj skuadre, i cili ishte gjithashtu pjesë e stafit teknik.

Me Llapashticën ekipi filloi të frymonte ndryshe, ndërkohë që “Forca” do mbahet mend në ndeshjen ndaj Ballkanit, liderit të vjeshtës, ekip të cilin e mposhti 1-0 në “Ferki Aliu”.

Por, kaq ishte nga FC Vushtrria.

Largimi i futbollistëve dhe ndryshimet e mëdha në klub

Vushtrrisë i’u larguan rreth 20 lojtarë në afatin kalimtar të janarit, gjë e cila ishte “fatale” për klubin që pretendonte të ndërtonte sërish “kalanë” në Superligë.

Ardhjet nga jashtë ishin vetëm sa për sy e faqe, derisa kombinimi i tyre me ekipin e të rinjëve nuk është që solli edhe shumë produktivitet.

‘Bardhekaltërit’ morën vetëm një pikë në pranverë dhe atë ndaj Dukagjinit në shtëpi (1-1).

Kur kanë mbetur edhe gjashtë javë deri në fundin e kampionatit, Vushtrria edhe zyrtarisht ka kompletuar ‘pokerin’ e largimeve nga Superliga, duke rrënuar kështu edhe njëherë tjetër “kalanë” e famshme nga “Ferki Aliu”.

Pas edicionit 2003/04, 2009/10 dhe 2015/16, tashmë edhe edicioni 2019/20 do të shënohet në faqet më të errëta të historisë së këtij klubi që në palmaret e saj regjistron një titull kampioni dhe një Superkupë vendi.

Në tokën e talentëve dhe zjarrin e tifozërisë, shuhet dhe njëherë tjetër ambicja për të parë këtë klub që trofetë e futbollit kosovar mund t’i kujtojë vetëm në vitrinat e stadiumit “Ferki Aliu”.

A ka se kush ta ndërtojë edhe njëherë “Kalanë e Vushtrrisë”? Kjo është një pyetje që e bëjnë të gjithë, pasi të kenë lexuar mitin për “Kalanë e Rozafatit”.

Close Bitnami banner
Bitnami