Jusuf Buxhovi: Çlirimi nuk solli lirinë

Historiani dhe shkrimtari, Jusuf Buxhovi, ka thënë se çlirimi nuk e ka sjellë lirinë në Kosovën.

Duke folur në emisionin “Desku” në KTV për temën “Çlirimi i papërfunduar i Kosovës”, Buxhovi ka thënë se procesi ka mbetur në gjysmë.

Ai ka folur për librin e tij të ri “Mona”, që është publikuar javë më parë. Është roman që lidhet me realitetin që ekziston në Kosovë nga viti 1999 e tutje.

Buxhovi ka thënë se romani merret me politikën aktuale, në prizmin e imagjinatës së një krijuesi, që është i interesuar që asaj që po e kalojmë, t’ia jap edhe dimensionin letrar.

“Shteti i Kosovës është e arritura më e madhe historike e shqiptarizmit në këtë shekull. Por çlirimi nuk e ka sjellë lirinë dhe ky proces ka mbetur i papërfunduar. Ky është përqendrimi im në letërsi, unë jam shumë kritik ndaj gjithë kësaj. Ka pasur keqkuptime, se po e fyej luftën e gjëra tjera, siç dinë te ne që t’i mbrapshtojnë gjërat, veçmas ata që kanë përfituar nga shteti i Kosovës dhe nuk e kanë pasur ideal shtetin e Kosovës, por që shtetin ta kthejnë në plaçkë”, ka thënë Buxhovi.

[embedded content]

“Nuk ka të bëjë me patriotët, me ata që janë vrarë në luftë, që kanë shkuar në luftë për ideal. Nuk ka të bëjë me UÇK-në e luftës. Por me UÇK-në e pasluftës, me të gjithë ata të cilët në një mënyrë kanë keqpërdorur atë kredibilitetin dhe janë kthyer nga njerëz që do të duhej të ruanin meritat, në dëmtues të këtij procesi. Disa prej tyre në zhvatës të shtetit të Kosovës, e disa, mund të quhet, edhe në grupe kriminale dhe e kanë dëmtuar procesin”, ka shtuar Buxhovi.

%d bloggers like this: