Deputeti i LDK-së për shkarkimin e Vjosa Osmanit: Ia teproi me mendimin ndryshe

Sipas deputetit të LDK-së Frashër Demaj, shkarkimi i kryeparlamentares Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares së partisë ka ardhur pasi ajo ka tejkaluar kompetencat e mendimit ndryshe në këtë parti.

Sipas tij, në LDK është i lejuar mendimi ndryshe, “por brenda subjektit ka edhe dokumente që duhen respektuar”.“Jam anëtar i LDK-së. Ka vendime që shpesh nuk më pëlqejnë, por janë të shumicës. E bëj luftën time politike brenda subjektit tim për aq kohë sa s’është marrë vendim që është përkrahur nga shumica. Kur merret ai vendim, bazohem në rregullat e demokracisë dhe e respektoj atë vendim. Për fat të mirë, apo të keq, atë ditë kam qenë në Rugovë, si delegacion për të bë vizitë. Nuk e kam pa e-mailin e praktikisht s’kam marrë pjesë në votim për shkarkimin e saj. Dua të sqaroj pozicionin tim. Në situata politike që s’më pëlqejnë të jeni të bindur që kam plot pajtueshmëri me vendimet, por jam deputet i LDK-së. Jam bë deputet me logon e saj. Respektohet vendimi i shumicës në demokraci. Si vendim merret ai mendimi i shumicës. Nuk na ndal askush mendimin ndryshe. Bile në LDK është shumë i përhapur. Përmenda rregullat e demokracisë, por brenda një subjekti ka edhe dokumente që duhet respektuar. Ndër to është statuti i partisë. Ai si dokument nuk na lë të dalim jashtë kornizave logjike të rezonimit politik për çështje të caktuara. Më duket se ka tejkaluar kompetencat e mendimit ndryshe veprimet e fundit të zonjës Osmani. Në kuptimin që sot për shembull Osmani nuk votoi vendimet e LDK-së”, ka thënë ai në Interaktiv.

Sipas Demajt, shkarkimi i Osmanit nuk do të thotë përjashtim nga LDK-ja. Ai ka thënë se kjo parti nuk e ka logjikë përjashtimin e zyrtarëve.

“S’jam bë deputet si kandidat i pavarur, por me logo të LDK-së. Duhet ta respektoj atë logo. Kur nuk pajtohem dhe veproj ndryshe vendimeve të forumeve partiake, për veten time, kaloj si deputet i pavarur ose bëj planet politike. S’dua të gjykoj veprimet e asnjë njeriu brenda LDK-së sepse gjithsecili është përgjegjës dhe përgjegjshme për vendimet që merr. Nuk do të doja që të largohej nga LDK-ja. Në asnjë mënyrë. Ajo është shkarkuar nga pozita e nënkryetares së partisë. Por ajo s’është përjashtuar dhe s’ka logjikë përjashtimi te LDK-ja. Mund të jem nënkryetar, por mund që për arsye të caktuara të shkarkohem apo të dorëhiqem. Por LDK-ja s’ka logjikë përjashtimi nga partia. Tolerohet mendimi ndryshe dhe është në përgjegjësinë time në ç’raport do të shkojë mendimi ndryshe. Them që është çështje e zonjës Osmani, por duhet ta themi se LDK-ja e ka respektuar maksimalisht. E ka caktuar kandidate për kryeministre, por për fat të keq nuk fituam. Për votimin e saj kemi qenë të mobilizuar të gjithë. Edhe në fushatë, edhe forume kemi thënë votoni 1-shin e pastaj katër tjerë. Është meritë e saj natyrisht, por edhe e strukturave të partisë”, ka vazhduar ai.

Demaj ka thënë se qytetarët nuk do ta dënojnë LDK-në për shkarkimin e Osmanit. Ai ka thënë se LDK-ja ka elektorat stabil.

“S’besoj që do të na dënojë. Pres që qytetari të na mirëkuptojë. Në përplasje politike dikush mund të shkojë e dikush të vijë. LDK-ja ka elektorat stabil, shtrirje të fuqishme horizontale. Ka shtrirje në gjithë Kosovën pa u dalluar shumë se cila zonë dominohet nga LDK-ja. Përderisa partitë tjera janë fokus dihet ku janë më të forta”, ka thënë Demaj.

%d bloggers like this: